Thursday, March 28, 2024
BallinaLajme‘Shpëtim i Kosovës, rritje ekonomike, emërimi i bordeve’

‘Shpëtim i Kosovës, rritje ekonomike, emërimi i bordeve’

Dje është mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, e me këtë rast me një fjalim të gjatë u drejtua kryetari i kësaj partie njëherazi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti nuk kishte kritika për ekzekutivin që udhëheq, përkundrazi kishte lavdata të mëdha.

Ai nisi të përmendte ato që i cilëson si suksese që janë bërë gjatë këtyre muajve prej kur ai erdhi në krye të ekzekutivit.

Kurti, tha se Kosovën e kishin gjetur ‘’të gjakosur e përtoke, dhe të papërgatitur për sfidat e shekullit 21.’’

”Por ajo që gjetëm në shumë pjesë ishte edhe më keq sesa e mendonim. Një shtet përtoke që gjakonte në të gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit 21”, thuhet tutje në fjalim.

Për këtë arsye fitoren e 14 shkurtit e quan shpëtim për vendin, duke harruar debaklin që pësuan në zgjedhjet lokale, të cilin e zëvendëson me përmendjen e zgjedhjeve në Shqipëri, e më pas në Kosovë duke u vetëmjaftuar me fitoren në 4 komuna.

‘’ Kësisoj me 14 shkurt i kemi pasur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Me 25 prill, i kemi pasur zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ku Lëvizja garoi me 3 kandidatë të saj në tri qarqe: Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër. Me 17 tetor i kemi pasur zgjedhjet lokale të rregullta, ndërkaq me 14 nëntor balotazhin përkatës’’, tha ai.

Tutje, Kurti numëroi sukseset, sipas tij, të kësaj qeverie që ai udhëheq. Një ndër këto suksese ai e cilëson edhe emërimin e bordeve, pavarësisht se kishte kritika të mëdha për disa nga to pasi vërehej nepotizmi apo punësimi i familjarëve.

Sukses, Kurti e quan edhe emërimin e gjeneralmajorit Bashkim Jashari, pas dorëheqjes së Rrahman Ramës.

Ai thotë se vendi ka parë rritjen ekonomike bashkë me buxhetin me vlerën më të madhe ndonjëherë.

‘’ Eksportet janë rritur për 60% e investimet e huaja e direkte janë rritur për 52% që përbëjnë po ashtu rritjen më të madhe që nga shpallja e pavarësisë. Kemi regjistruar mbi 10,000 vende të reja të punës’’, tha tutje Kurti duke rënë në kundërshtim me deklaratat e dy ministrave të kabinetit të tij, të cilët herë thonë më shumë se kaq e herë më pak.

Për pandeminë, tha se kanë arritur ta menaxhojnë më së miri, duke lënë pas faktin se gjatë kohës së ministrit Arben Vitia, nga Qeveria Kurti, vendi shënoi numër rekord viktimash por edhe rastesh pozitive.

Kurse për krizën energjetike, fajin hodhi te qeveritë e kaluara, derisa tha se ‘’epoka e territ’’ ka përfunduar pavarësisht se ditëve të fundit qytetarët po përballen me reduktime të ashpra, më tepër se që ishte paralajmëruar.

Tha se është i frustruar edhe vetë me gjendjen që po kalon Kosova, në lidhje me këtë krizë energjetike.E fare në fund Kurti tha se do vazhdojnë me fitore, madje për këtë u zotua.

Kujtojmë se kryeministri Kurti ka marrë kritika të ashpra nga politikanët për fajësimin e qeverive në lidhje me krizën energjetike. Politikanë nga parti të ndryshme kërkuan nga Kurti të mos flasë si opozitë por të punoj në zgjedhjen e këtij problemi që ka prekur biznese e qytetarët.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT