PA LËSHOJE MA TË MADHE, BRE BURRË!
Ishte nisur një malësor për Gjakovë. Rruga e gjatë dhe e kishte marr uri e madhe. Afër Gjakovës e takon një bashkëvendës. Po e pyet atë:
– Ku ke, bre burrë?
– N’Gjakovë.
– A kish bukë n’Gjakovë? – po pyet prapë malësori, e prej urisë së madhe, e kishte zënë frika, se nuk do të gjente bukë atje.
– Kish boll bukë, besa, – ja kthen bashkëvendësi.
– A ishin t’mdhaja buk’t? – po e pyet prapë malësori, se prej urisë së madhe mendonte se nuk do i dilte një bukë e tërë.
– Bajagi t’mdhaja ishin.
– Pa banma me shej ni bukë qitu n’tokë, ta shoh sa janë t’mdhaja.
Ky mori një gur e fillon ta bëjë një rreth në tokë, përafërsisht sa ishte një bukë e furrës.
Malësorit iu dukë i vogël ai rreth, ngaqë kishte uri, e po i thotë atij:
– Pa lshoje ma t’madhe (bukën), bre burrë!
– More, unë po e lëshoj t’madhe sa Fusha e Bajram pashës, po s’pe lshon furrunxhija se!
A JE TUJ PRITË SURLET ME KRISË?
Ishte kohë ramazani. Tri-katër copë katundesh në Kabash të Prizrenit kishin pas bërë ramazan me një tupan. Ndërmjet atyre katundeve kishte qenë një kodër, Murlan e kishin pas quajtur. Për kohë të iftarit dilte në majte të kodrës tupanxhiu me rrahë për iftar.
Hoxha kishte pas shkuar tek njëri në Kabash dhe pritshin të bëhet iftar, pasi të gjithë ishin të uritur. I murrën orët e po i vendosin përpara me shikuar kohën. Një djalit të shtëpisë i thanë:
– Del n divanhane e vëzhgo! Kur t’krisin tupanat, na kallxo e t’bajmë yftar.
U bë koha e yftarit e djali nuk po lajmëron gjë. Këta të lodhur e të uritur po i ja lëshojnë një zë djalit:
– O djalë!
– Hoj! – Përgjigjet ai.
– A krisën more tupanat a shka u bo?
– Qe besa, more babë, ni tupan krisi qatje n’kodër…
– Po shka dreqin je tuj pritë. Me krisë edhe surlet a? Ramazani s’ka surle. Pse s’erdhe me na kallxue?
DIKUSH HIQ E VUAJ, DIKUSH PUTH E DUAJ
Njëri prej Tushilës ishte i varfër e i vetëm.
Fejohet me shumë mundime i shkreti, se të varfëritë, si gjithkund, bartin peshën e rënd të jetës.
Gëzohet shumë për fejesën dhe nis ta çezojë nusen. Merr para hua dhe blen pambuk e qo te nusja. Ço mëndafsh, lesh… e gjithfarë harxhesh që i duheshin për çejzin e nusërisë.
“Ore, – i thoshin, – je pak i hollë prej takatit, ndale dorën se këto para që po i merr hua, një ditë duhet kthyer!”
– Veç le të çejzohet mirë nusja se unë punoj. Punoj e fitoj dhe, një ditë, edhe borxhet i kthej.
Zgjati kjo punë, po, nja dy vjet e tepër.
Erdhi koha. Nusja kishte bërë çejzin gati. Ishte caktuar edhe ditën e dasmës, u nda vadja.
Pikërisht kur u nda edhe vadja, çohet një Smakiç i Arbrisë e t’i grabitë nusen me krejt çejzin e gatshëm.
Ky i shkreti ra për tokë: ta vriste Smakiçin, nuk ishte punë që bëhej, të zinte nuse tjetër – ruajna zot, se ishte i mbytur në borxhe deri në fyt.
Mbeti edhe pa nuse, edhe duhej punuar ditë e natë për t’i kthyer borxhet.
Nuk shkoi gjatë e i doli kënga:
Dikush hiq e vuj,
Dikush puth e duj!
DIKUJT FTOHTË E DIKUJT NXEHTË
Në një odë malësorësh të Rugovës, ku nga skamja e varfëria, ishte edhe odë edhe shtëpi, se nuk kishte konak tjetër, plaka ua shtronte vendin për të fjetur dhëndrit e vajzës së vet e, pak më tutje, nën të njëjtën mbulojë, djalit e resë.
Plaku pinte duhan pranë oxhakut dhe i vështronte.
– Vendin e keni gati! – u tha plaka dhëndrit e vajzës dhe mori jorganin t’i mbulonte.
– Afrohuni pak nga njëri-tjetri se nata është e ftohtë e do të mërdhini, – u thoshte plaka derisa i mbulonte.
Pakë më tutje, plaka u bëri vend djalit e resë. Duke i mbuluar u thoshte:
– Ç’jeni ngjitur trup për trupi, largohuni pak, largohuni se natën ju vjen nxehtë e djersiteni!
Plaku, që i shihte e i dëgjonte, krejtësisht i qetë pranë oxhakut, foli ngadalë:
– Haj medet, haj medet!… Nën një jorgan dikujt ftohë e dikujt nxehtë!