Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritPetro L. Sota -“ NUSJA E MALEVE

Petro L. Sota -“ NUSJA E MALEVE

“ NUSJA E MALEVE “

Nuse, kur ti shkove,
Krah për krah me burrin,
Pushkën në një dorë,
Në tjetrën flamurin.

Të bardhën qeleshe,
Vetë në kokë e vure,
Gjerdanin e ngjeshe,
Dhe në brez kobure.

Si trimëresh u veshe,
Se nuse s’do të rrije,
Dhe armët i ngjeshe,
Si stoli nusërie.

Gjoksin do e fshehësh
N’gërshetin që zbriste,
Si gjerdan fishekësh,
Hëna do e shndriste.

As parfum nuk vure,
Siç venë nuset sot,
Se gryka në kobure,
Të sillte erë barot,

Si fëmijë qetë shtatë,
E vetmja motër qe,
Por s’mendove gjatë,
Kanunin ta prishje.

U veshe si burrë,
Burrin e gjete vetë,
U linde për flamur,
Dhe për pistoletë.

Dhe emrin ta ndërruan,
S’të shkonte Qerime,
Me Shotë të emërtuan,
Trimëreshë në luftime.

As në t’parën natë,
Në shtëpi s’do t’flije,
Do t’kishje krevat,
Shkëmbin ku do rrije.

Nga të ftohtit trupi,
Dridhej në mornica
Qerpiku s’të mbyllej,
Shihte nga Drenica.

Drenicën shikonte,
Që po digjej flakë,
Qielli po ndriçonte,
Dhe hëna kullon gjak.

Vitin njëzet e një,
Në Mitrovicë ke hyrë,
Azemit nuk i the gjë,
E vret serbin në zyrë.

Si rrufe dhe vetëtimë,
Ditën me diell zgjodhe
Për armiq s’ka shpëtim,
Tre plumba trut ja hodhe.

Edhe malet të panë,
Oshëtinë dhe më fort,
Se shqiponjat si ty janë,
Por ti emrin, e ke Shotë.

Sa netë do të rrinte,
Në dëborë edhe shi,
E qerpiku do të ngrinte,
Si kristal në synë e zi.

Aty pushka, kur kërciste,
Edhe grykat oshëtinin,
Plumbat porsi breshër,
Pranë teje do të binin.

Si breshër do t’binin,
Ndërsa ti rrije në ballë,
Serbët deshën të zinin,
Dhe të kapnin të gjallë.

Ti në ballë rrije vetë,
Kur Azemi më nuk qe,
-Përpara, më fort thërret,
Hej,,,o Azem Galica, prite.

Bjeruni, o trima, i bini,
Oshëtinte zëri i jot,
Ndizet flaka nga luftimi,
Në luginë tym e barot.

S’kish kuptuar armiku,
Se Azemi s’qe n’llogore,
Si hero ai vërtetë iku,
Ti hakun, vetë ia more.

E përmbi ‘ta u lëshove,
Si një rrebesh me stuhi,
Si shqiponjë fluturove,
Vinin plumbat breshëri.

Por ti plumbat i shihje
Kur baroti flakë ndizej,
Dhe armikun mirë e njihje,
Dora, prandaj s’të dridhej.

Bashkë në shumë beteja,
Me Selamin dhe Buletinin,
Kërciste pushka si rrufeja,
Një nga një serbët binin,

Si trimëreshë përballove,
Jo vetëm me armiqtë,
Dhe me kanunin ti luftove,
Me disa njerëzit e liq.

Ti po luftoje për lirinë,
Fjalët e tyre nuk të ndalën,
Ta kishin ngritur pusinë,
Me trimëri e vrave fjalën.

Porsi ujqërit serbët vinin,
Emri i jot i kish frikësuar,
Në llogore pushkët shtinin,
Dhe nuk kish të pushuar.

Dimri i rëndë kishte ardhë,
Dhe dëbora kishte rënë,
Si qeleshja jote e bardhë,
Edhe malet e kishin vënë,

Me trimat dorë për dorë,
Po qëndronit si flamur,
Të mbuluar me dëborë,
Si të gdhendur në gurë.

S’more ndihmë prej shtetit,
Një copë bukë kërkove ti,
I dërgove dhe letër mbretit
Por ai, qe mik në Serbi.

Ato vite në fushë Krujë,
Jetove, në mjerim plotë,
Ti s’kërkove famë e bujë,
Ndërsa mbreti të dha lot.

Një mbretëri e një mbret,
Që një ditë më s’do të jenë,
Emrin tënd e gdhënde vet,
Dhe u ktheve në legjendë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT