KU TË JETË?
Pas disa shkundje krahësh, avioni i lodhur,
Filloi të shuaj gulçimën e tij të rëndë,
Udhëtime të gjata si ky kishin ndodhur,
Por lodhjen s’e ndjeja kur pranë kisha zërin tënd.
Pista, nga dhimbja, lëshoi piskama therëse,
Rrotat kafshonin tokën si bisha të etura,
Por unë ndjeja më afër aromën tënde dehëse,
Dhe kërkoja me sy vështrimet e tua të ndezura.
Diku, më prisje e heshtur, në Selanikun e vjetër,
Në ambientet e fjetura të aeroportit të madh,
Duke pritur kontrollin e gishtat duke brejtur,
Unë fillova të përkëdhelja që aty në radhë.
S’të gjeta gjëkundi, aeroporti m’u duk i shkretë,
Boshllëku më rrëmbeu e më tundte si në avion,
I lodhur, i këputur pyeta më kot “Ku të jetë?”
Një zë i brendshëm më thosh: “E humbe, është vonë.”
Fjalët e ëmbla e fotot që më çoje çdo natë,
M’u duk se, ato çaste, errësira u hodhi çarçafin e zi,
Ndoshta u vrave nga heshtja e nga pritja e gjatë,
Siç më mbyti mua, pa mëshirë, e tmerrshmja vetmi.
NË PËRVJETOR
Në përvjetor gjithmonë jam i lumtur,
Nga një majë tjetër jetën e gëzova,
Mos më thotë dikush: “Ndodh që je i humbur”
Me humbjet e vogla jetën s’krahasova.
Gëzoni, o njerëz, për vitet që ikën,
Dhe gjykim zemrës mos i kërkoni,
Se i ndezën rrugës pishtarët a i fikën?
Mos i shani ditët, mos i ligështoni.
I shikoni ato si sirena deti,
Bukuria e tyre t’ju ndezi hapësirat,
Lumturisë në botë fundin kush ja gjeti,
A doli në ballë kush ndoqi vogëlsirat?
Vitet pas i çova si shkojnë zogjtë e lirë,
Skutave, majave të jetës në fluturim,
Mbrëmjeve vonë a mëngjesit duke gdhirë,
Më buzëqeshin ditët si vashat në vallëzim.
I përshëndes dhe unë dhe u tund shaminë,
Vallen e jetës kurrë mos ta pushojnë,
Ndoshta s’u dhashë shumë, por u dhashë lirinë,
Pres që me një gotë sot të më urojnë.
RRUGËVE TË BOTËS
(Duke zbritur në New York, SHBA)
I madh aeroporti, i bukur,i pafund,
Në këtë vend të largët e plot zhurmë, këtë natë,
Këmbët, nuk di pse po më rëndojnë kaq shumë,
Drejt daljes, kur shkoj, gati i tërheq zvarrë.
Mendime të ndryshme seç më vijnë e bluaj,
Për njerëzit e mi, që rrinë diku, atje larg,
S’do t’më prisnin si këtu, ky vend i huaj,
Do të bënin festë, kur t’më shihnin në prag.
Xixëllonjat, nën ngjyrat e pranverës,
Do të hapnin e do të mbyllnin sytë e zjarrtë,
Dhe mbrëmja, nën puhizën e lehtë të erës,
Do të më qeraste me polenin e artë.
Do të më shihnin të dehur, sigurisht,
Rrugët e qeta e të dashura të fshatit tim,
Si bir do të më përqafonin ëmbëlsisht,
“S’ka gjë, do thonin, njeriu dehet dhe me gëzim.
Këtu s’më vë rè asnjeri, kush jam unë,
Humbas mes turmës si pikë uji në oqean,
Me një barrë hallesh vij rrotull botës për punë,
Dhe shtërngoj zemrën në kraharor që qan.