Sunday, December 22, 2024
BallinaVitrina e libritLulzime Malaj-Sa kohë u bënë

Lulzime Malaj-Sa kohë u bënë

Sa kohë u bën’ sa s’e mbaj mend,
Më ngjan se shekujsh je larguar,
Kjo ftohtësi sikur më çmend,
A thua se koha ka ndaluar…!


Dhe malli s’digjet aty në shpirt,
Si ca thëngjij bërë hi në votër.
Siç mund të kesh gjithë pasurinë,
Dhe e humbet në një lojë poker.


Dhe malli s’tretet aty në shpirt,
Siç derdha dikur një det me lot.
Siç shkrin dëbora mbi lule prilli,
Siç vyshket një trëndafil në gotë.


Dhe malli s’mbytet nëpër vite,
Siç mbytet një mjegull mbi liqen…
Siç e ka të “gjatë” jetën një flutur,
Siç luan vjeshta dram’ në skenë.


Diku, kumbon një not’ e trishtë,
Në qilar t’kujtimeve përmbytur mall’
Siç cicëron një zog në borë,
Siç përpëlitet një peshk mbi zall.


Malli i rri shpirtit, eh, si relike,
Si pajë e gjyshes n’funde sirtarësh,
Si një mulli ere në sfond të arës,
Krahët bosh vërtit e s’mund të varet.


U ndamë atë nat’ vere, n’rrugicën time,
Për çudi dhe zemra, i vë portës gurë,
Por, eh, malli mbeti dhembje shpirtit,
Si tatuaxh pikturuar në lëkurë!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT