Në këtë botë maskarenjsh, ku e drejta rri në gjunjë, ku i ligu vishet mbret, e i ndershmi mbetet urë.
Fjalë të ëmbla, zemra gur, buzëqeshje plot helm të fshehur, sot të thonë: «Të kam si vëlla», nesër të kanë harruar krejt.
Hani, pini, o maskarenj, se kjo botë ju jep mundësi, ju që shisni edhe shpirtin, për një grusht pushtet e pasuri.
Nëpër zyra, nëpër sheshe, fjalët tuaja bëhen ligj, por kur vjen puna te drejtësia, secili fshihet pas një fytyre.
Njëri vjedh e bëhet zotëri, tjetri hesht e quhet i urtë, njëri shet edhe ndërgjegjen, tjetri mban mbi shpinë turpin.
Por mos kujtoni, o të marrë, se kjo botë s’ka kujtesë, se maska bie një ditë vetë dhe e vërteta del në shesh.
Se nuk matet njeriu me fron, as me emër, as me ar, por me shpirtin që mbart brenda dhe me nderin që ka falë.
