Nga kodrat ku fjala ime u rrit,
në gurët e heshtur të Medvegjës sime,
mbolla një këngë që s’ka muzg as pritë,
që rron në rrënjë, në gjuhë, në themele trime.
Më lanë pa dritë, më lanë pa emër,
një pikë në hartë, por botë në shpirt.
Po unë s’u përkula asnjëherë,
se zëri i tokës më ftonte për dritë
.
Në çdo prag shtëpie rron një kujtim,
një nënë që pret, një burrë që s’u kthye.
Por toka ime s’pranon harrim,
ajo hesht, por kurrë s’humbet në frymë.
Triumfi është të jetosh edhe kur s’je,
të mbash gjuhën kur përpiqen ta fshijnë,
të lindësh sërish nga dheu që ndje,
dhe me zë të qetë botës t’i thuash,
jam i gjallë, s’jam hije!