Kujtimet më trokasin,
kur ty sot të shoh,
Sa më qënke rritur,
nga gërsheti të njoh,
Për atë gërshet,
malli më kish marrë,
U bënë shumë vjet,
që s’të kisha parë,
Ishim në një moshë,
kur ndjenjat e mija,
Si gonxhe trëndafili,
shpërtheu dashuria,
Në bangën para meje,
në klasën e tetë
Unë si padashur,
ta prekja atë gërshet,
Ti ndoshta e kuptoje
dhe s’më flisje fare,
Por kokën e ktheje,
tek shihje në dritare,
Faqet të skuqeshin,
ato faqe si mollë,
E gërsheti të tundej,
në belin e hollë,
Se dija ç’po ndodhte
me mua të shkretin,
Prisja të më thoshje;-
do ta fal gërshetin,!
Bashkë me gërshetin,
ishte tjetër merak,
Kur shihja buzën tënde,
të skuqur si flakë,
Për buzën e ndrojtur,
si petale e çelur
Si frutë porsa pjekur,
që duhej shpejt vjelur,
Eh, vitet shpejt rrodhën,
si një ujvarë në krua,
Por akoma edhe sot,
i kujtoj buzët e tua,
E kujtoj atë bangë,
sikur mua më thërret,
Me vajzën e ndrojtur
që mbante gërshet,
Me faqe të skuqura,
si trëndafili i çelur,
Që në shpirtin tim,
si një lule ka ngelur,
Të brishtë e të ndrojtur
sytë e saj qenë,
Si bajame e trishtuar,
duken sikur flenë,
Një ditë u largove
dhe nuk të pashë më,
Por në ëndërr gërshetin,
unë e shihja gjithnjë,
Si drurët pa gjethe,
më dukeshin të mjerë
Do më ngjaje dhe ti
me gërshetin të prerë,
N’ëndërrë duke u mbytur,
unë luftoja me detin
Duke u mbytur të lutesha;
-mos e pre gërshetin.!