Wednesday, February 4, 2026
BallinaVitrina e libritNasia Xhemalaj -E dua Lirinë!

Nasia Xhemalaj -E dua Lirinë!

E dua lirinë,
siç e deshi im atë,
që s’rreshti duke shpresuar,
tek drita e çdo agimi ,
-Një ditë do zgjohem,- thoshte Ai,
-bashkë me lirinë.

E dua lirinë,
siç e deshi im gjysh,
që dhe frymën ja morën për të,
kur “fara e keqe” e hoqi zvarrë,
dhe i shqyen trupin,
nëpër gurë e baltë,
si ujq të uritur ,
ja mbyllën sytë me pluhur e gjak,
për mos ta parë kurrë dritën e lirisë.

E dua lirinë si foshnja e porsalindur,
që hap sytë për herë të parë,
për të parë botën të larë në dritë.
Horizontet e kaltër,
zogjtë që mbushin qiejt,
dhe këngën e tyre tek ndërtojnë foletë,
që ngrihen me durim.

Dua të jem një shqiponjë në kaltërsitë e mia,
të fluturoj me frymën e shpresës,
dëshirave tu vesh guximin për të jetuar gjatë ,
dhe të jem zonjë në tokën time.

E dua lirinë,
se ajo eshtë si gruaja që sjellë jetë të re,
e mbarsur me dritë drejtësie ,
shpagim i gjakut të stërgjyshve.
Ka krahët e erës,
që fshin e hedh tutje nëpër greminat e historisë,
kufomën e diktaturës,
është themeli I fortë që s’rrëzohet kurrë ,
edhe kur drejtësinë e vrasin pa mëshirë.

Ajo gjen shtegun e dritës në errësirë,
dhe ngjallet si feniksi nga hiri.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT