Ky shi sonte s’paska të pushuar
Melodi piklash më bëhen simfoni
Pikturë buzësh mbi avuj xhamash
Rrugëza puthjesh që m’sjellin tek ti.
Rregulloj konturet majëgishtash që dridhen
Mollëza gishtash që ndizen flakë
Mollëza faqesh ngjyrosen purpur
Një lot i vakët, me zë në lak…!
S’di në më joshi, apo e josha
S’di në më ka, apo i kam hak
Duar që zgjaten në prekje gishtash
Buzë që përgjërohen, rri edhe pak…!
