Ani shko tash,
banu ç’ka t’duesh përgjumjes tande,
harrim, zjerm i shkimun, hi i squllët, i yti trishtim.
Puthj’e rreshkun n’buzë,
pikëlz vese para diellit,
shuemje shprese,
ofshamë therse e ngurtë muze.
N’dasht pse hijes tande hiqesh zvarrë,
honesh të diellta tue m’lypë si i marrë,
dikur gjarpnoja ngat teje, gacë, flakë e valë.
Oh, “ç’përdhunë” ndjenje, humbje kujtese…
e tash, zhgalitu vrajash t’shpirtit,
si gurtë shpateve
n’rreknim,
pra, banu çka t’duesh,
veç, un e ti, s’mundesh m’u ba ma…
dashninë rrëshqite duersh.
N’llurbë bore s’ndizet zjarrmi i dashnisë,
eshkë e unur i kishe n’dorë,
zunë ndryshk,
tashma teje edhe verave bien borë
E dij, nji ditë ke me kujtue kunorën lidhë qiejsh,
ke me i numrue fluturat e shkueme…
gazin mjaltë, mpiksun n’sy,
n’pulitje drithmash, tue dashtë me i rindezë çastet përvluese,
tash, t’rrinë palue akull nënkresës, murosë n’ty!
