Sa shumë u mërzitën mes tyre dy vëllezër,
Aq sa thanë: “Kthim mbrapa nuk ka më.”
As frymën, as zërin s’ia dëgjonin njëri-tjetrit,
As fytyrën, e ç’vizatohej mbi të.
Një vijë kulluese si kufi thelluan,
Për pak kohë, në hendek ajo u shndërrua.
Rrëmo një ditë, rrëmo ditën tjetër,
Hendeku i vogël u bë përrua…
Tek i madhi vëlla, tashmë fort i mërzitur,
Të kërkojë punë, erdhi një marangoz.
I acarti dimër shpejt kishte mbërritur,
Ai s’kishte mbulesë e as nuk kish rrogoz.
I madhi i tha: “Hendekun të zgjeronte,
Kështu, vëllanë e vogël s’do shihte, me demek.
Thelloje dhe më shumë, që prurjet të shtohen,
Të mbetemi të ndarë për mot e për jetë.”
— Mirë, — tha marangozi, — ashtu le të bëhet.
Dhe punën vazhdoi me të madh nxitim.
Një urë të bukur mbi hendek ndërtoi,
Që një ditë të shërbente si kalim.
Kur vëllai i madh urën e vërejti,
I pafjalë mbeti nga e saja bukuri.
S’bëri dot në kohë të thoshte asgjë,
Kur pa të mbërrinte mbi të vëllanë e tij.
I vogli e përqafoi, tha: “Rëndë jam gabuar.
Të falënderoj pa fund për urën, o vëlla.
Fjalët që t’i thashë unë kurrë s’i kam menduar.
Ti je gjithë çfarë kam, ty të kam baba!”
I madhi, i shtangur, vërente marangozin.
Ai qante: “Në sy më ka hyrë ca rërë.
Po vete, o vëllezër, shëndet ju uroj…
Po vete, se janë shtuar shumë urat për t’u bërë!”
