Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Garcia, është shprehur i bindur se skuadra katalunase mund ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon nën drejtimin e Hansi Flick.
Duke folur nga grumbullimi i Kombëtares së Spanjës para ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Garcia tha se Barcelona po kalon një periudhë të mirë dhe se skuadra ka cilësinë për të luftuar për trofeun më të rëndësishëm evropian.
“Mendoj se po i bëjmë gjërat mirë. Është e vërtetë që është vetëm fillimi i sezonit dhe gjërat ndryshojnë shumë shpejt, por jemi në një seri të mirë”.
“Mendoj se kemi një grup shumë të mirë, po e dëshmojmë këtë dhe duhet të vazhdojmë. Sepse Liga e Kampionëve do të jetë e vështirë, por padyshim që kemi shumë dëshirë ta fitojmë”.
Garcia beson se cilësia dhe ambicia e skuadrës e vendosin Barcelonën mes ekipeve që mund të shkojnë larg në këtë garë.

“Siç thashë, mendoj se me skuadrën tonë, lojtarët tanë, cilësinë dhe ambicien që kemi, padyshim do të jemi aty në garën për trofeun”.
Mbrojtësi spanjoll kujtoi edhe zhgënjimet e Barcelonës në edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve. Katalunasit u eliminuan në gjysmëfinale dy sezone më parë, ndërsa sezonin e kaluar u ndalën në çerekfinale.
“Ambicia që ka ky grup, uria për të fituar… mendoj se që kur kam ardhur, kemi pasur disa vite shumë të mira. Është e vërtetë se na ka mbetur një peng në Ligën e Kampionëve, dy vite më parë në gjysmëfinale dhe vitin e kaluar në çerekfinale”.
Garcia shtoi se fitimi i Ligës së Kampionëve, së bashku me titullin e La Ligës dhe Kupën e Mbretit, do ta kthente këtë skuadër në histori.
“Mendoj se nëse arrijmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, përveç fitimit të La Ligës dhe Kupës së Mbretit, padyshim që do të bëjmë histori”, përfundoi Garcia./Telegrafi/
