Do të hesht, deri sa dhe gurin ta plas
Nuk do të vazhdoj më, asnjë fjalë s’do flas
Durimin me grimca pluhuri do e mas
Heshtja do të jetojë,aspak nuk do e vras.
Ndoshta , do të dëgjohet më shumë
Heshtja do të flasë më shumë se unë
“Do të gurgullojë si uji në lumë”
Nga goja do t’i fillojë të dalë shkumë.
Do ta vesh heshtjen me mantel të artë
Nuk do i jap me vete as laps e as kartë
Le të flasë fort, sa zëri t’i ngrihet lart
Ta dëgjojnë të gjithë,pastër e qartë.
