BallinaLajmeShqiptari Ajdin Limoni shpëton katër të rinj nga vetura në flakë në...

Shqiptari Ajdin Limoni shpëton katër të rinj nga vetura në flakë në Zvicër

Një ngjarje e rëndë në Wohlen të kantonit Aargau ka përfunduar me shpëtimin e katër të rinjve falë ndërhyrjes së shpejtë të 53-vjeçarit shqiptar, Ajdin Limoni.

Aksidenti ndodhi të mërkurën rreth orës 20:45 në Alte Bremgarterstrasse në Wohlen. Për arsye ende të paqarta, një Fiat Punto doli nga rruga në një kthesë dhe u përplas me një pemë. Pak më pas, vetura u përfshi nga flakët.

Limoni, i cili po kthehej në shtëpi, pa diçka që po digjej dhe iu afrua vendit të ngjarjes. Sipas rrëfimit të tij për 20 Minuten, disa persona ndodheshin pranë veturës, por fillimisht vetëm po e shikonin atë teksa digjej.

“Çfarë po prisni? Ndihmojini!”, u tha Limoni të pranishmëve, para se të vraponte drejt veturës dhe të hapte një nga dyert.

Brenda saj ai pa tre persona pa ndjenja dhe një vajzë që ishte ende e vetëdijshme. Vajza bërtiste: “Më ndihmoni, po vdes!”. Limoni ka treguar se zëri i saj është diçka që nuk do ta harrojë kurrë.

Së bashku me disa persona të tjerë, ai nisi menjëherë nxjerrjen e të rinjve nga vetura. Për të liruar një prej tyre, kërkoi edhe një thikë për të prerë rripat e sigurimit. Pasi i nxorën jashtë, ai u kërkoi të pranishmëve t’i largonin sa më shumë nga vetura për shkak të flakëve.

“Flakët ishin të paktën tre metra të larta”, ka rrëfyer Limoni.

Katër personat që ndodheshin në veturë, një vajzë 17-vjeçare dhe tre të rinj 17, 18 dhe 21 vjeç, të gjithë shtetas italianë me banim në Zvicër, u nxorën nga automjeti. Sipas policisë kantonale të Aargaut, ndërhyrja e personave që dhanë ndihmën e parë ua shpëtoi jetën.

Gjatë shpëtimit, edhe Limoni pësoi djegie në duar dhe në ballë dhe u dërgua për trajtim në spital. Ai u kthye në shtëpi po atë mbrëmje.

“Nuk mendova për asgjë tjetër. Doja vetëm të ndihmoja dhe t’i shpëtoja ata njerëz”, ka deklaruar Limoni për 20 Minuten.

Ai thotë se disa nga plagët do t’i lënë shenja, por dhimbja për të është e durueshme.

“Kur mendoj se kam arritur të shpëtoj njerëz, ndihem relativisht mirë”, ka thënë ai.

Limoni ka shprehur edhe zhgënjimin e tij për faktin se disa kalimtarë, sipas rrëfimit të tij, e panë veturën duke u djegur, por nuk ndërhynë menjëherë.

Mesazhi i tij pas kësaj ngjarjeje është i thjeshtë: “Ndaloni dhe shikoni nëse ka njerëz që kanë nevojë për ndihmën tuaj.”

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT