BallinaNgjyra jeteKosovari përballet me hajdutin e armatosur në Gjermani: “Gjermanët më kanë ndihmuar,...

Kosovari përballet me hajdutin e armatosur në Gjermani: “Gjermanët më kanë ndihmuar, prandaj desha t’i ndihmoja”

Driton Berisha, 37-vjeçari nga Kosova, u bë protagonist i një ngjarjeje të pazakontë në Villingen të Gjermanisë, pasi ndërhyri për të ndaluar një hajdut të armatosur me thikë.

Ngjarja ndodhi më 7 dhjetor, në qendër të Villingenit. Berisha ishte duke lëvizur me të dashurën e tij kur pa dy punonjës të një dyqani sportiv që po përpiqeshin të ndalonin një person të dyshuar për vjedhje.

Në vend që të largohej, kosovari vendosi të ndërhynte. Ai iu afrua personit dhe i kërkoi të ndalonte dhe të dorëzonte sendin e vjedhur. Situata u përshkallëzua kur hajduti nxori një thikë dhe tentoi ta godiste disa herë.

Berisha i kërkoi të hidhte armën, por kur ai nuk u bind, kosovari e goditi dhe arriti ta rrëzonte përtokë. Më pas e mbajti të neutralizuar derisa mbërriti policia.

Gjatë përleshjes, edhe vetë Berisha u lëndua. Ai pësoi një plagë të vogël shpimi në kofshë dhe një gërvishtje në gisht.

Një prej policëve e cilësoi atë si “Heroin e Villingenit”, ndërsa autoritetet vlerësuan guximin e tij. Megjithatë, policia theksoi se qytetarët nuk duhet të përballen vetë me persona të armatosur.

Por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte përgjigjja e Berishës kur u pyet për arsyen e ndërhyrjes.

“Gjermanët na kanë ndihmuar atëherë në Kosovë, më kanë ndihmuar mua si refugjat. Pse të mos i ndihmoja edhe unë një herë gjermanët?”, kishte deklaruar ai për gazetën gjermane Südkurier.

Në atë kohë, Berisha ishte në pritje të një vendimi për statusin e tij të qëndrimit në Gjermani. Ai shprehej se dëshironte të jetonte dhe punonte në vend, ndërsa veprimi i tij u konsiderua si shembull i solidaritetit dhe guximit qytetar.

Historia e kosovarit nga Villingeni mbeti e veçantë jo vetëm për ndërhyrjen e tij në një situatë të rrezikshme, por edhe për mesazhin që përcolli: ndihma dhe solidariteti, sipas tij, duhet të jenë të dyanshme./ Revista Ora

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT