Ti je e treta stinë në radhë,
me ngjyra dashurie,
uritur pret dimri i bardhë
të t’i gllabërojë gjithë shijet…
O stinë e zhveshur, e verdha krejt,
ti çupëz virgjëreshë,
të hodha krahëve shpejt e shpejt
nga qiejt ca pupla resh.
Si një fustan prej nusërie
ta veshësh trupin, vjeshtë,
se gjethet ranë e ti pa hije
më ngjan si e pa jetë.
I hodhe një nga një si rreshta
nga pena e një poeti,
në fëshfërim të tyre heshta,
siç hesht një valë deti.
Dikur m’i veshe sytë me lot;
më ke lënduar, mike,
por unë mëri s’të mbajta dot,
se të shoh ty dhe digjem.
Je një pikturë e ngjyer mall,
me muzgun flakë zjarri,
je veç një bukuri e rrallë,
me penelata ari.
Me flokë të lyer porsi hëna,
me shtatin të florinjtë,
më pret me shportën plot si nëna
n’tryezë me çiliminjt…
