BallinaSportArgjentina rikthen fanellën legjendare të fitoreve historike për ndeshjen me Anglinë në...

Argjentina rikthen fanellën legjendare të fitoreve historike për ndeshjen me Anglinë në gjysmëfinale

Kombëtarja e Argjentinës do të zbresë në fushë me fanellën alternative në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Anglisë, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta.

FIFA ka konfirmuar se “Albicelestet” do të jenë skuadra mysafire në këtë përballje dhe për këtë arsye do të përdorin fanellën e dytë me ngjyrë blu, të kombinuar me pantallona dhe çorape të zeza.

Kjo fanellë nuk është e panjohur për ekipin e drejtuar nga Lionel Scaloni, pasi u përdor edhe në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, kur Argjentina mposhti Jordaninë me rezultat 3-1.

Edhe portieri Emiliano “Dibu” Martinez pritet të rikthehet me të njëjtin komplet që kishte veshur në atë sfidë të zhvilluar në Dallas.

Megjithatë, fanella blu ka një domethënie të veçantë për Argjentinën në përballjet historike ndaj Anglisë në Kupën e Botës.

Pikërisht me këtë uniformë, “Albicelestet” kanë regjistruar dy nga momentet më të paharrueshme në historinë e tyre.

Në Botërorin “Meksika 1986”, Argjentina e veshi këtë fanellë në fitoren ikonike ndaj Anglisë, ku Diego Maradona shënoi dy golat legjendarë, ndërsa në “Francë 1998” e përdori sërish në triumfin me penallti në fazën e 1/8-ës së finales.

Tani, pas dekadash, fanella blu do të rikthehet në një tjetër duel madhor mes dy rivalëve historikë, këtë herë në skenën e një gjysmëfinaleje të Kupës së Botës./Demokracia.com/

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT