BallinaVitrina e libritKristina Ndoci Tina-ÇELËSAT

Kristina Ndoci Tina-ÇELËSAT

Nuk i kam numëruar çelësat në shpirt,
janë shumë dhe rëndojnë kraharorin tim,
secili hap një portë, më kthen në një ditë,
dhe sytë më mbushen me mall e kujtim.

Çdo çelës më çon në një prag të harruar,
kur zërat e dashur më vijnë përsëri,
të mirat, hidhërimet që koha ka larguar,
dhe fytyra që sot i kërkoj në qetësi.

E lotojnë sytë jo vetëm nga malli,
por edhe nga ditët që ikën pa kthim,
prej njerëzve të zemrës, gjurmëve të fatit,
që koha i largoi por mbetën në shpirtin tim.

Të rëndë janë celësat që mbaj në duar,
por kam nisur t’i ndaj një nga një,
të kthej në vargje çdo kujtim të shkuar,
që barra e shpirtit të më bëhet këngë.

Dhe ata që mbesin do t’i mbaj më lehtë,
kur një pjesë të barrës ta le në varg,
aty në vargje t’i marrë lexuesi vetë,
që malli të mos më rëndojë kaq gjatë.

Por disa çelësa do t’i ruaj në heshtje,
se hapin sekrete që s’thuhen me zë,
jeta më mësoi: disa gjëra t’i mbaj në vete,
edhe kur t’i kujtoj, të mos nxjerr asgjë.

Se jo çdo derë duhet hapur një ditë,
Jo çdo kujtim kërkon fjalë e dëshmi,
disa mbeten të mbyllura thellë në shpirt,
si amanete që duhen ruajtur në përjetësi.

Dhe nëse një ditë çelësat bëhen më pak,
nuk do të thotë se kujtimet kanë shkuar,
ato, do të jenë në vargjet e mia prapë,
aty ku i kam mbajtur dhe i kam shkruar.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT