Shkruan Bajram Muharremi-Bistrica
Sot 27 vite pa ty, nënë… por me dritën tënde çdo ditë. Barbarët serbë të vranë.
Prill 1999…
27 vite pa ty, nënë. Në oborrin e shtëpisë në Mitrovicë, barbarët serbë ia morën jetën nënës sime, Emine Muharremi!
Ajo nuk ishte thjesht një nënë… ishte mburojë, ishte guxim, ishte dritë.
Në çastin më të errët, kur frika kishte pushtuar çdo cep, nëna ime doli përpara së keqes për të mbrojtur nipat e saj të vegjël nga barbarët serbë.
Me zemër të madhe dhe shpirt të pathyeshëm, ajo i shpëtoi ata nga pushkatimi… por vetë mbeti përgjithmonë në kujtesën tonë e pavdekshme, si simbol sakrifice.
Plumbat ia morën jetën,
por nuk mundën ta mposhtin dashurinë e saj, as trimërinë që ajo la pas.
Ajo ra si një heroinë e heshtur. Nënë, emri yt do të shënohet në histori me germa të arta, për të jetuar përjetësisht në shpirtin tonë dhe në historinë tonë.
Sot çdo frymëmarrje e jona mban një pjesë të saj.
Çdo buzëqeshje e fëmijëve që ajo shpëtoi është dëshmi e gjallë e dashurisë së saj të pavdekshme.
Poetët shkruajnë poezi për ty, nëna ime; në shkolla këndohet kënga jote, recitohen poezi për ty.
Nënë, deri në frymën e fundit të jetës sime, do të jesh në zemrën dhe mendjen time. Kam shkruar shumë poezi për ty, nëna ime, me lot në sy; libra për ty, nëna ime.
Se liria nuk fitohet pa gjak. Një vend ku derdhet loti nuk ka liri; një vend ku derdhet gjaku, lulëzon liria, të cilën ne sot e gëzojmë falë djemve dhe vajzave, grave dhe burrave, të cilët rrokën armën për liri. Sot jemi të lirë falë UÇK-së.
Pusho në paqe, nëna ime e shtrenjtë. Gjithmonë do të jemi krenarë me ty.
Emri yt nuk do të shuhet kurrë.
Për ty shkruajnë poetët, për ty flet historia.
E pavdekshme, nëna ime!
