Sa lutje shpirti për atë që desha
dhe fati -fat s’ ma kishte dhënë.
Për fat, këmishë prej gjarpëri vesha
por lutjet prap më mbetën nëmë.
Tej, kukuvajka diçka e ndolli,
në gjoks me frymën ritmon kureshtja.
Syri si bard këng’ lotësh solli
gjëm’ e vërtetë ishte vetë heshtja.
Eh botë e qullur mall e trishtim,
kukuvajkë-far ndrin fatet tona.
Qan e këndon thellë shpirtit im
e nëma prap mbetet e jona.
Në ç’ qiell dergjet, vallë syri sot
po ato lutjet, “ah”-et, fat’ngrënat?
Zot, si na e bëre dhe gjuhën zog?
Nga brengat, pengjet dhe të pathënat.
