Monday, May 13, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Dan Ibrahimi

Cikël poetik me vargjet e poetit Dan Ibrahimi

Nga libri i shenjt
Ajo shfaqi mollën
Ai këputi belhollën
Tevona shpikën bollën
dhe përrallash e mbollën

lufta…
mos më flisni për të
ju nuk e dini çfarë është ajo
i keni degjuar lajmet, historitë
nuk është ashtu
as si këngët. poezitë
as si filmat, romanet…
kur ndodh ajo
thjesht fiken kamerat
përdhunohen lëndinat, qielli
ditënetët…
e kaluara, e tashmja, e ardhmja
së pari vriten heronjtë
pastaj të gjithë
dikush nga lufta
dikush nga vetja
pastaj sërish fjalët
këngët, filmat…
oh. nuk ështe ashtu
lufta

(Bekim Fehmiut)
ah, atëherë..
nëse s’jam më trup fizik
më kërkoni si metafizik
ika në rrugëtim të përjetshëm
kohën dhe hapësirën më s’i kam pengesë
por malli më merr për formën
një ditë do të shformoheni
dhe do t’më kuptoni
por…
njësoj do të jemi të gjithë
ah, atëherë…

Femra
Në kraharor i fle zogu i artë
në sy e djeg afshi i zjarrtë
në ëndërr i rri mbreti i parë
në jetë e zë një gjuetar

Mirina
1
Mirina në horizont harkoi shikimin
u llastuan shtigjet dhe deti u llastua
dielli u deh humbi drejtpeshimin
dhe ra mbi valë deti u avullua
të gjitha ngjyrat u shkrinë u shkrinë
i morën piktorët në pëlhura i shtrinë
2
të gjithë e panë askush s’e njohu
u mrekulluan dhe e dëshiruan
në çast hyjnoren që më tha “zgjohu”
dola në dritë sytë m’u verbuan
hapat ia dëgjova zura të qesh
sa mirë të paktën kam veshë
3
a jam në ëndërr apo ëndrra vetë
nga cila botë më vjen kjo melodi
lirës kush i bie cili mbret
është sundues në këtë harmoni
askush s’më përgjigjet askush
gjak s’më rrjedh dejve vetëm prush
4
më fal o Zot i përulur jam
nga ti kërkoj një të vërtetë
rilindja sot apo çasti i mbramë
cila nga këto po më troket
pastaj edhe deti le të bëhet kos
bota po deshi të plasë në kaos
5
befas shkrepi plot madhështi
veza kozmike drita e fillesës
eurinoma diku në gjithësi
ia krihte flokët Mirinës mbesës
yjet përreth i këndonin pa pra
atje ku do të shkosh si ti tjetër s’ka
6
e para përherë mbi tokë nën re
vegim epokash shpërthim eruptiv
i syrit yjor fluror mbi dhe
si një pikturë e Hyjit motiv
lakmia njerëzore do të ta rrisë famën
nga e para ditë deri në të mbramën
7
sa me fat jam më s’kam merak
pashë bukurinë e agimit të fillesës
tani o botë më jep ca farmak
nuk dua ta prek fillimin e mbaresës
përtej shkëlqimit të syve të Mirinës
nuk mbetet gjë pos mbylljes së kaptinës
8
përse o i zgjedhur përjetë i dënuar
dhe po deshe ti portën s’e mbyll dot
fati yt një ditë është caktuar
tej ta përçosh rrëfimin e plotë
kështu më tha një zë në fluturim
pas të cilit një re u shfaq në rrugëtim
9
Pegasi fluturoi qiellit pa masë
kohën dhe hapësirën i shpërtheu
sekush më pëshpëriti pranë nga pas
brengën tënde Mirina e ndjeu
shqeva sytë terr vetëm terr
ç`është kjo që në çengel më vjerr
10
heshtje mbi botë kaos në mua
vegim i mistershëm befas m’u shfaq
me gjethe selvish rruga m’u shtrua
te libri i botës u zgjat sakaq
në pergamenë dora e saj vetë
kishte shënuar të madhin sekret
11
së bashku me diellin lindur jam
nga kaosi dola në dritë
në tokë u ndala te mbreti Dardan
i lindur njëkohshëm me perënditë
fara e bekuar në arat tona
zgjoi mëritë e botës tevona
12
të yshtur nga djalli me flamur të zi
erdhën dalë bese fise endacake
botën që rritej në harmoni
e ndoqën dhe e dogjën në ecejake
pastaj shpifën mite përfolën përralla
por gjurmët tona u mbetën hala
13
në papirus dora e Mirinës
kishte shënuar rregullën e parë
sado që të zgjasë epoka e smirës
rrotullimi i botës s’ka të shkarë
veza kozmike në harmoni
vallen hyjnore e luan gjithnjë
14
nga erdhe ti cila re të solli
kush të zgjojë nga gjumi mitik
të panë në Trojë si vorbulla të mori
orakulli tha: syri kozmik
mijëvjeçarët ikin mbesin vetëm numra
ndërsa ajo kthehet nga kohërat e përgjumura
15
aorta më fryhet muskujt më bymehen
djersët çurg më derdhen ballit në qepalla
ankthet sërish më kthehen
e humba luftën rob më bëri përralla
ik i them ik dhe kurrë mos u kthe
sepse dua të fle dhe vetëm të fle
16
hap sytë më thotë zgjuar rri
gjumë do të ngopesh një ditë
kohës sate si në lashtësi
rreth e përqark i rrinë mëritë
flaka e re që shpërtheu nga akulli
ngjan në Kalë Troje më tha orakulli
17
agimi më zuri të qullosur fare
sa shumë u gëzova kur dritën pashë
një zog më trokiti lehtas në dritare
thashë nga përralla në tokë rashë
hapa dritaren dhe… çfarë të dëgjoj
Mirina jam tha zogu dhe fluturoi
18
Mirina në horizont harkoi shikimin
u llastuan shtigjet dhe deti u llastua
dielli u deh humbi drejtpeshimin
dhe ra mbi valë deti u avullua
të gjitha ngjyrat u shkrinë u shkrinë
i morën piktorët në pëlhura i shtrinë

lufta…
mos më flisni për të
ju nuk e dini çfarë është ajo
i keni degjuar lajmet, historitë
nuk është ashtu
as si këngët. poezitë
as si filmat, romanet…
kur ndodh ajo
thjesht fiken kamerat
përdhunohen lëndinat, qielli
ditënetët…
e kaluara, e tashmja, e ardhmja
së pari vriten heronjtë
pastaj të gjithë
dikush nga lufta
dikush nga vetja
pastaj sërish fjalët
këngët, filmat…
oh. nuk ështe ashtu
lufta

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT