Nga Halil Preniqi .
Mbijetesa e Ismail Kadaresë gjatë diktaturës komuniste shpesh është keqkuptuar ose gjykuar në mënyrë sipërfaqësore. Në të vërtetë, për letërsinë dhe kulturën shqiptare, ishte shumë më e rëndësishme që Kadare të mbijetonte sesa të eliminohej nga një regjim që zhdukte mendimin e lirë dhe krijimtarinë autentike.
Po të ishte zhdukur Kadare, letërsia shqiptare do të kishte humbur një nga zërat e saj më të fuqishëm dhe më përfaqësues. Letërsia nuk ndërtohet mbi heshtje të dhunshme, por mbi vepra që mbeten, lexohen dhe ndërtojnë vetëdije kulturore. Në këtë kuptim, mbijetesa e tij ishte një domosdoshmëri historike, jo një privilegj politik.
Kadare arriti ta kapërcejë realizmin socialist duke e shndërruar letërsinë në një hapësirë rezistence përmes simbolit, alegorisë dhe mitit. Ai e përballi pushtetin jo me slogane, por me art të lartë, duke e zhvendosur konfliktin nga propaganda në kulturë.
Vepra e Kadaresë mbështetet mbi tri shtylla themelore: antikitetin, kombëtaren dhe universalen. Duke u kthyer te rrënjët e lashta të qytetërimit shqiptar dhe duke i ndërthurur ato me temat universale të tiranisë, frikës dhe fatit njerëzor, ai e nxori letërsinë shqiptare nga izolimi dhe e vendosi në dialog të drejtpërdrejtë me letërsinë botërore.
Kombëtarja te Kadare nuk është folklor, por identitet i reflektuar dhe kritik. Pikërisht për këtë arsye, ai u pranua dhe u vlerësua nga elitat kulturore të botës demokratike, duke e përfaqësuar kombin shqiptar me dinjitet dhe argument kulturor.
Ismail Kadare nuk është produkt i diktaturës, por një dëshmi se letërsia e madhe mund të mbijetojë edhe në kushte represive dhe ta ruajë autonominë e saj estetike. Pa të, kultura dhe letërsia shqiptare do të ishin më të varfra dhe më pak të pranishme në hartën kulturore të botës !
