Pse, o njerëz,
për një famë
e degraduat çdo gjë?
Artin e shndërruat në VIP,
e VIP-at në prostitucion,
ku vlera matet me dukje
e njeriu me reklamë.
Nuk e latë as traditën
pa e prekur e pa e denigruar,
as patriotizmin
pa e shuar dalëngadalë.
Për egon tuaj
dhe për interes,
shkatërruat vlera,
shkatërruat besimin,
shkatërruat një popull të tërë.
Ku mbeti fjala e burrit?
Ku mbeti nderi i shtëpisë?
Ku mbeti kënga që na bashkonte,
fjala që na mbante gjallë,
e flamuri që ngrihej
jo për fotografi,
por për një ideal?
Sot shumëçka shitet:
fjala, arti, fama,
edhe dhimbja e njerëzve.
Mjafton një ekran,
një dritë, një duartrokitje,
dhe harrohet kush ishim.
Por një popull
nuk mbahet gjallë me famë.
As një komb nuk ndërtohet
me ego e interes.
Pa kujtesë nuk ka rrënjë,
pa traditë nuk ka identitet,
pa vlera nuk ka të ardhme.
