Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën, më 5 tetor 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, zgjedhje në borde dhe institucione, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë, inovacionit dhe buxhetit.
Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në seancë do të shqyrtohet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se do të shqyrtohen edhe ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Në rendin e ditës janë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në rend dite janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin. Këtë e ka konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli./Rtk/
