Shkruan Kumrie Avdyl Shala
Në zonën e Dukagjinit të Shqipërisë u mbajt manifestimi tradicional “Dita e Rinisë Dukagjinase”.
Falë kontributit të dhënë për këtë manifestim nga nikoqiri Kolë Gjoni, burr nga zona e Shoshit, ky manifestim u mbajt në mënyrën më dinjitoze dhe perfekte, duke u bërë realitet ideja e këtyre të rinjve dukagjinas.
Këtë manifestim e ndihmuan edhe disa anëtarë të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, të cilët dhanë kontributin e tyre, në krye me Dukate Bregun, Roza Mhill Pjetrin dhe Agron Hasanin.

Nën tingujt e bukur të këngëtarëve dukagjinas të mirënjohur, Viola Shqau, Noel Pjetri dhe Gentia Gropa, u realizua në mënyrë madhështore festa dyditore “Dita e Rinisë Dukagjinase”.

Manifestimi u mbajt në vendin e quajtur Nderlysaj, pikë kyçe e zonës, në restorantin “Veni i Gjyshit”.
Dashuria për këto zona, Theth, Shalë dhe Shosh, i bën dukagjinasit unikë dhe të pathyeshëm në komb, fe dhe traditë.
Me bashkëfinancimin e Kolë Gjonit dhe disa dukagjinasve, të cilët nuk dëshirojnë t’u përmenden emrat, u mbajt manifestimi madhështor “Dita e Rinisë Dukagjinase”.
Edhe pse për këtë manifestim do të duhej që Bashkia e Shkodrës të ndante një buxhet simbolik për këtë aktivitet kulturor, ai u realizua falë vullnetit dhe përkushtimit të organizatorëve dhe kontribuesve të zonës së Dukagjinit.
Qytetarët e kësaj zone janë duke punuar vazhdimisht që të kthehet jeta dhe tradita në këto anë të virgjëra. Është për të ardhur keq që ky vend ka mbetur në mëshirën e fatit.
Është e ditur se ky vend dikur ka qenë vatër e kulturës, kishte nënprefekturë, bashki, shkolla, spital, ushtri e, mbi të gjitha, ishte vend kanunor, ku fjala, besa e nderi ishin mbi të gjitha.
Andaj, në këtë vend duhet ta duam e ta mbrojmë, sepse është zonë e lashtë historike; për shqiptarinë është një aset kombëtar.

Të eksplorosh këto zona të Dukagjinit duhet ditë të tëra, sepse, posa fillon të hysh në fshatin Bogë, frymon ndryshe, duke thithur ajër të pastër dhe duke mos u ngopur me bukuritë e natyrës që Zoti ia ka dhuruar kësaj zone të virgjër, e cila ka një larmi të jashtëzakonshme të bimësisë të ndryshme.
Është vend ku mushkëritë të buzëqeshin dhe zemra fluturon nga pastërtia e ajrit.

Duke vazhduar nëpër rrugët gjarpërore deri në Theth, syri të kënaqet me pamje mahnitëse: kishën e vjetër, Kullën e Ngujimit dhe ujëvarat mes shkrepave të Thethit, të cilat të lënë pa frymë nga bukuria përrallore.

Duke vazhduar rrugës, pranë burimit të lumit të Shalës (burimin e ka në Theth e vazhdon derdhja në Komon), vazhdojmë eksplorimin deri te Vaskajt e Nderlysajve, pastaj nëpër ato shkrepra deri te Syri i Kaltër, që të lë pa frymë nga bukuria dhe uji i ftohtë akull, i cili del nga mesi i shkrepave dhe gurëve të bjeshkëve të larta të Dukagjinit, ku shqiphonja benë fol.
Në pjesën e majtë, Thethi e Shala kufizohen me zonën e Valbonës. Pranë lumit shohim ujin e kulluar që rrjedh me melodinë gurgulluese të rrjedhës së tij.
Mbi kreshtat e thepisura, pranë kullave të vjetra të gjyshërve e stërgjyshërve tanë, të kënaqet syri duke i parë. Shumë prej tyre janë duke u restauruar nga nipërit e tyre. Të gjithë i kemi sytë tek ata dhe presim që sa më parë të rikthehet jeta e re në Dukagjin.
Ajo rrugë gjarpërore, e shtruar vetëm me zhavorr, tregon se si dora e pushtetit e ka lënë në harresë këtë zonë.
Gjatë rrugës kaluam pranë ndërtesës së oficerëve të lartë ushtarakë të sistemit komunist, e cila ishte rrënuar dhe kërkonte dorën e shtetit për restaurim.
Kaluam pranë kulteve fetare, kishave të mbijetuara, urës e cila të çon në lagjen e Gimajve, urë e cila ka një histori në vetvete, në luftërat e kohës, sepse dukagjinasit shquheshin për burrni dhe trimëri. Po ashtu, në atë rrugë, në qendër të Shalës, pamë “Prefekturën e Shalës”, e cila ishte pothuajse e rrënuar, së cilës i kishin mbetur vetëm disa mure me ngjyrë të verdhë, ndërsa pjesa tjetër ishte kthyer në një gërmadhë të frikshme.
Aty pranë Prefekturës së Shalës ishin dy shtatore: njëra me emrat e Shtatë Shaljanëve, e ndërtuar në kohën e komunizmit, ndërsa tjetra, një pllakë mermeri e pikturuar me portretet e “7 Shaljanëve të Dukagjinit”, që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit dhe luftuan kundër sundimit otoman.

Vazhduam rrugën duke eksploruar, së bashku me ekipin e Këshillit Organizativ, manifestimin tashmë tradicional “Rinia e Dukagjinit”, të organizuar nga anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”.
Dukagjini i lashtë, vend i bukur, buzë lumit të Shalës deri te Porta e Shalës, është një vend ku, sipas traditës dhe historisë së kësaj treve, asnjë këmbë krajli as mbret nuk ka mundur ta shkelë e as ta sundojë.

Pastaj kaluam në urën që të çon në zonën e Shoshit. Ajo rrugë e thepisur, me shkëmbinj dhe kthesa gjarpërore, të mahnit me bukuritë e saj. Udhëtimi ynë vazhdoi deri te fshati Shënjergj dhe te kisha e vjetër e asaj zone.
Çdo cep i Dukagjinit është plot me faunë dhe bimësi të lashtë shëruese: trumzë, gështenja, çajra mali, bliri i egër etj. Shumë gurë shkëlqyes, lisa qindra vjeçarë, lumi që vazhdon përgjatë rrugës gjarpërore dhe pyjet e mbushura me shkurre e drurë të llojeve të ndryshme të lënë pa frymë nga bukuritë natyrore që ka dhuruar Zoti.
Është për t’u befasuar se kujt nuk po i konvenon që kjo zonë të mbetet pa përkrahje nga qeveria dhe të lihet pas dore.
Është për të ardhur keq për gjithë ato bukuri që do ta zhvillonin turizmin në atë zonë dhe do të ishte një hambar turizmi për gjithë Shqipërinë.
Kurse pushtetarët nuk e kthejnë kokën nga Dukagjini për t’i dhënë një jetë të re, një shtytje përpara për të mirën e asaj zone e gjithë Shqipërisë.
Siç dihet, Dukagjini ka qenë i populluar dhe i pajisur me gjithçka që i takon një qyteti të civilizuar: vatër kulturore, arsimim, infrastrukturë, shëtitore buzë lumit, zejtari, dyqane, punishte etj. Zonë kjo që ka qenë e paprekur nga sunduesit e ndryshëm, duke ruajtur ndër shekuj identitetin, kombin, fenë, traditat, besën dhe nderin e shqiptarit.
Dukagjini i Shqipërisë është aset kombëtar dhe, mbi të gjitha, ka një kulturë të rrallë njerëzore.
Do të mbesim me shpresë se një ditë do të bëhet më e lehtë që t’i eksplorojmë të gjitha ato bukuri që kanë këto zona të Dukagjinit.
Anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” janë duke punuar që Dukagjinit t’i kthehet dinjiteti. Për këtë foli edhe nënkryetari i kësaj shoqate, Agron Hasani, në natën e manifestimit, i cili u mbajt në restorantin “Veni i Gjyshit”, me pronar Kolë Gjonin, në prani të shumë dukagjinasve të ardhur nga Kosova, Peja, Tirana, Lezha, Shkodra, nga të gjitha zonat e Dukagjinit.
Ai tha se duhet të punojmë fort që Dukagjini të ketë identitetin e zonës, të riparohet infrastruktura, të ndërtohen shkollat dhe të kthehet popullata e zonës, në mënyrë që të zhvillohet edhe më shumë turizmi dhe të rikthehet jetë e re në këto vende të lashta historike, tha nënkryetari i Sh.A.D.
Çdo zonë ka bukuri mahnitëse dhe resurse të shumta natyrore, duke përfshirë bimët mjekësore, blegtorinë dhe pasuritë e tjera që mund të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik.
Me një ndihmë dhe përkrahje nga Qeveria e Tiranës, zona e Dukagjinit do të bëhet një pikë turistike me nam, shumë e frekuentuar nga vizitorë nga e gjithë Evropa, Amerika, Azia etj.
Qytetarëve do t’u kthehet identiteti, sepse këta qytetarë të kësaj zone janë bujarë, mikpritës, të dashur dhe unikë.
Në këtë manifestim u shtrua një darkë dinjitoze nga nikoqiri i restorantit, Kolë Gjoni, i cili priti dhe përcolli me dashamirësi të gjithë të pranishmit në këtë festë madhështore, “Dita e Rinisë Dukagjinase”.
Ky është një manifestim që tash e tutje Rinia e Dukagjinit do ta festojë çdo vit, me shpresën se organizimi i këtij manifestimi kulturor do të përkrahet dhe financohet nga shteti shqiptar, nga Ministria e Kulturës apo nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, si dhe të përfshihet në kalendarin zyrtar të aktiviteteve kulturore shtetërore.
Dukagjini nuk duhet të mbetet në harresë. Ai është një pasuri e çmuar e Shqipërisë, një thesar i natyrës, historisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Ta mbrojmë, ta zhvillojmë dhe t’ia kthejmë jetën që meriton .
E shkruar nga: Kumrie Avdyl Shala, Dukagjinase nga Peja e Dardanisë.
