Kur më të afërmit, përdhé të plandosin,
Ti eja, strehohu tek unë,
Se janë përherë ata që më shumë duam,
Ata që na godasin pafund…
Kur dhe fijen e ajrit mbi buzë ta lakmojnë,
Mos u trishto, por eja tek unë,
Nga buza ime e regjur nga kripa e lotit,
Frymën time, të tërë ta jap unë…
Me dorën tënde shkuli heshtat prej zemre,
Mos prit për herojnë, shpëtimtarë,
Jetojmë në kohën e unit të gënjeshtër,
Që vetveten vret dhe më pas qan si i marrë…
Me kurora dafine të gjithë të duan,
Por unë të dua dhe të humbur,
Krahët mbaj hapur, në vijën e fundit,
Tek unë të prehesh, Titani im i mundur…
