Do të iki larg në male,
nën një bredh a nën një lis,
të më dehë era e luleve
dhe jo era e rakisë.
Do të ngjitem m’u në krye,
të shoh zogjtë kur çajnë reve,
larg nga shpifjet, nga intrigat,
larg nga tymi i kafeneve.
Do të rri në malet tona,
larg nga djajtë që bëjnë shenjtorët,
larg nga gjithë politikanët,
larg nga “profesorë-doktorët”.
Do të shkoj të rri i vetëm,
ku rrjedh uji nëpër male,
pa fytyra hipokrite,
pa “Big Brother” dhe pa lajme.
Larg nga zhurma e partive,
atje, në malet e larta,
të dëgjoj zërat e zogjve,
larg nga fytyrat me maska.
Do të iki lart në male,
nën një bredh a nën një lis,
të më dehë era e luleve
dhe jo era e rakisë
