Mendohu mirë dhe kurrë mos u ngut,
para se fjalën ta kesh thënë.
Dy herë mat dhe njëherë këput.
T’i dalësh zot asaj në çdo rrethanë.
Kërkojnë mund e punë gjërat e mira.
Ta ndihmosh tjetrin kur ka nevojë,
se miku njihet në ditë të vështira
dhe jeta gjithkënd mund ta sprovojë.
Sunduese e botës është qenia njerëzore,
por jo gjithmonë e vetme por në bashkësi.
As parajsa pa të tjerët, në botën hyjnore,
nuk të shijon as nuk ka vlerë pa miqësi.
Gjërat më të bukura të kësaj bote,
nuk blihen me para as nuk kanë çmim;
siç janë nderimi, respekti dhe dashuria jote;
po i fale ato – të shumëzohen në pambarim!
