BallinaVitrina e libritRezarta Gagani-UNË JAM NDALJA

Rezarta Gagani-UNË JAM NDALJA

Ka dashuri që s’duan të shumëzohen,
jo nga mungesa, por nga pesha që s’ka më vend.

Ka gra që lindin jetë,
dhe gra që lindin kufij,
që jeta të mos plagoset më.

Dashuria ime s’është më e verbër.
Ajo tashmë e di
se çdo gjë që lind
merr me vete plagët që s’kanë zë.

Gratë e gjakut tim
kanë dashur duke mbijetuar,
kanë rritur fëmijë me duar të lodhura,
duar që s’kanë pasur kohë të dridhen nga butësia.
Unë i nderoj për këtë.
Por nuk do ta përsëris.

Nuk dua ta lind frikën që kam mposhtur,
as heshtjen që kam thyer.
Nuk dua ta mësoj një foshnje
të kërkojë dashuri me ndrojtje,
si dikur kërkoja dritë në duar që s’e dinin si jepet.

Në trupin tim endet një kolonë grash,
të përkulura mbi jetën si mbi bukën e fundit.
Ato flasin në mua me zëra që s’i njoh,
por ndjej dridhjen e tyre në duart e mia.
Kjo dashuri mban shijen e brezave që më lindën.

Unë jam ndalja që ato s’e patën.
Në mua dhimbja nuk përsëritet por
shndërrohet.
Në heshtje,
në zgjedhje,
në kthjelltësi.

Në mua s’mbaron një histori,
me mua ajo më në fund gjen qetësi. 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT