U vonova nënë e avionin s’munda ta kapë dot,
Aeroportit, si fëmijë i erdha rrotull, duke qarë
Qiellit, sypërlotur, thirra,,me zë të fortë !
- A ka një zog me krahë këtu, të më marrë !?
U vonova nënë, ti me shpirtin tënd po lufton,
Ora e jetës pa mëshirë, mbrapsht filloi rrotullimin…
Në shtratin e vdekjes, me sy, fëmijët kërkon
Dhimbja po ta fikë buzëqeshjen dhe gëzimin !
Të lamë nuse të re nënë, kur shkuam ne atëherë,
Me gërshetin e gjatë, një nga një na përcolle…
Me nallanat e drunjëta, kur u ndamë, atë pranverë
Një trëndofil të bardhë, për secilin nga ne mbolle..!
Sa vite shkuan nënë, e ti thoje, smund të vij atje !
Në tokën tënde bijë, je zonjë, vetëm atje ke vlerë…
Por, mua sot pranë shpirtit nuk më ke,
Dhe as unë s’do të kem, për gjithë vitet tjerë !
U vonova nënë, të gjallë dot s’të gjeta ty, o Zot !
E putha me lotë shtratin e qava, mbi rrobat tua…
Ah, nënë seç ndjeva, me fjalë s’mund ta them dot !
- Pse të lamë vetëm nënë, pse shkuam në dhe te huaj !?
U vonova nënë, duartë s’ti putha, s’të mbajta erë…
Kam mbetur si një lis, erës e stuhisë, atje rrëzuar
Ah nënë, zgjohu e sërish në krah më merrë,
Të ndjehem fëmijë, e vogël si dikur, prej teje llastruar !
U vonova nënë…në shtëpinë e fundit s’të përcolla,
Veten e mallkova, pse në jetë u takuam ne aq rrallë..!
Kujtimet e dhimbjen mes lulesh, ti solla…
E mes lotësh lutem:
- Falmë, e ma baj hallall !
